19 dhjetor 2014 – Pjetër Tuçi vetëm 21 vjeç ndërroi jetë në Spitalin Manzoni të Lekos (Lecco), ku ishte shtruar që në 3 tetor 2014.
Pjetri bashkë me dy “kolegë” po shqiptarë në 3 tetor po tentonte të vidhte një apartament, në një palacinë 3 katëshe, kur ra nga taraca (12 metra lartësi). Aksidenti ndodhi në Mapello, një qytezë në Provincën e Bergamos. Karabinierët e dërguan Pjetrin në spital, ku luftoi me vdekjen për 45 ditë vetëm në sajë të moshës së re dhe kondicionit fizik të shkëlqyer.
Pjetri nuk ka të afërm në Itali përveç një daje, Gjovalin Gjokën 36 vjeç, i cili njëlloj si Pjetri i ndjerë është hajdut profesionist. Ai u arrestua të hënën më 15 dhjetor së bashku me 5 shqiptarë të tjerë, i akuzuar për vjedhje me thyerje të 13 dyqaneve dhe banesave.
Autoritetet italiane kanë kontaktuar me Ambasadën shqiptare në Romë, me qëllim që të afërmit e të ndjerit të shkojnë në Itali për të tërhequr trupin nga morgu.
Kjo është dhe kostoja e tranzicionit shqiptar. Duke rendur pas fitimit të kollajtë dhe mungesës së çdo perspektive për të jetuar me punë të ndershme në Shqipëri, mjaft të rinj shqiptarë i hyjnë rrugës së krimit. Jo pak prej tyre paguajnë një faturë të tmerrshme, si me shumë vite burg apo edhe me humbjen e jetës.
/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





