9 dhjetor 2014 –  Dy hajdutë shqiptarë natën e së dielës 7 dhjetor 2014, rreth orës 22:30 tentuan të vjedhin me thyerje, një dyqan cigaresh në qytezën e Sosanos në Provincën e Vinçencës.

Hajdutët arritën të hynë në dyqan duke thyer xhamin e një dritareje në pjesën e prapme të dyqanit, por një shok i pronarit të dyqanit i pikasi. Në përpjekje për të shpëtuar, ata u përleshën me personin që dha alarmin. Kur mbërritën karabinierët, njëri nga hajdutët ia kishte mbathur. Hajduti i dytë, Lirim Ahmetaj 33 vjeç, u kap nga karabinieria.

 Ndonëse dyqani i cigareve ishte bërë rrëmujë, hajdutët nuk arritën të vjedhin, sepse u pikasën në kohë dhe autopatrulla e karabinierisë, mbërriti shumë shpejt në vendngjarje.

/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/