DURRËS, 16 shkurt 2014 – Karabinierët e qytetit të Vincencës arrestuan katër persona anëtarë të një bande, që merrej me shitjen e kokainës dhe me zhvatje të rënda dhe të vazhdueshme. Në bandë bënte pjesë krahas italianëve Mauricio Pilloni, 49 vjeç; Franka Pavan 49 vjeç; djali i Frankës, Franko Toselo, 21 vjeç; durrsaku Artur Dakoli, 39 vjeç. Këta i kishin shitur vetëm një banori të qytetit të Vincencës mbi dy kg kokainë me vlerë 280 000 euro. Meqenëse drogaxhiu italian kishte paguar vetëm 200 000 euro, ata e kërcënonin vazhdimisht. Kërkonin të paguante edhe 80 000 eurot e tjera, në të kundërt t’u jepte me tapi një pronë të patundshme, që vlente së paku 150 000 euro. Artur Dakoli nuk ishte i panjohur për karabinierët, sepse në nëntor 2012 ai ishte akuzuar se në vitet 2005-2006 u kishte shitur të paktën 200 gramë kokainë disa personave në Vincenca. Në sajë të profesionalizmit të avokatit Andrea Balbo, Artur Dakoli ishte liruar nga gjykata për mungesë faktesh.
/gj. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





