Vrasësi është 29-vjeçari Mirco Franzoni që e gjeti në shtëpi të tij. E ka ndjekur dhe i ka qëlluar me armë. Mbi ngjarjen po hetojnë karabinierët që duan të kuptojnë nëse breshani ka qëlluar me vetëdashje apo është fjala për teprim në mbrojtje të ligjshme
15 dhjetor 2013 – Një 26 vjeçar shqiptar i qëlluar me çifte ka mbetur i vdekur mbrëmjen e të shtunës në Serle të provincës së Brescias. Vrasësi është 29-vjeçari Mirko Franzoni që duke u kthyer nga gjuetia e ka gjetur shqiptarin në shtëpi duke i vjedhur.
Ka ndodhur rreth orës 22 në rrugën Marconi, rrugë qendrore e fshatit të vogël. Franzoni, i zoti i një vile, i lajmëruar ndoshta nga fqinjët për lëvizje të dyshimta, është kthyer në shtëpi i shoqëruar nga miq apo i vëllai (lajmet nuk janë akoma të sakta) dhe ka parë që brenda kishte një hajdut. Ky i fundit sapo ka kuptuar që i zoti i shtëpisë ish kthyer është përpjekur t’ia mbathë.
Sipas çka thuhet ne mediat lokale, Franzoni duket e ka ndjekur në rrugë për disa metra, e ka arritur e në zënie e sipër me hajdutin “ka qëlluar padashje” një plumb që ka vrarë 26-vjeçarin shqiptar. Në vendngjarje kanë mbërritur karabinierë e një ambulancë. Janë përpjekur të rianimojnë 26-vjeçarin, por me të mbërritur në spital ai ka ndërruar jetë.
Karabinierët që po rindërtojnë dinamikën e ngjarjes kanë marrë menjëherë në pyetje Franzonin. Duan të kuptojnë nëse vrasja ishte teprim i mbrojtjes së ligjshme, nëse Franzoni kishte qëlluar vërtet padashje apo nëse ai ka qëlluar me vetëdashje.
http://www.shqiptariiitalise.com/component/content/article/44-kronike/4936-brescia-gjen-hajdutin-ne-shtepi-dhe-e-qellon-me-arme-vdes-26-vjecari-shqiptar.html





