Autoritetet italiane kanë arrestuar një shqiptar dhe një grek, sepse po transportonin refugjatë sirianë me skaf. Ndaj tyre rëndon akuza e trafikut të klandestinëve. Mjeti dyshohet se ka lundruar nga Greqia në drejtim të Italisë dhe është ndaluar paraditen e sotme në Castro. Një banor i zonës, teksa i ka parë refugjatët të zbresin nga skafi, ka njoftuar autoritetet. 21 emigrantë kanë zbarkuar mëngjesin e sotëm në Leçe, 16 burra, katër gra dhe një fëmijë.

Ndërkohë, mjetet dhe personeli i Guardia di Finanza ndvrhynë me shpejtësi, duke arrestuar dy skafistët, një shqiptar dhe një grek, të cilët po merren në pyetje. Mediat lokale raportojnë se trafikantët i kanë sjellë refugjatët në breg dhe më pas kanë tentuar të largohen. Pas njoftimit, karabinierët kanë zhvilluar kërkime në tokë, ndërsa motoskafët e Guardia di Finanza dhe të Rojës Bregdetare kanë filluar kërkimet në det. Në një distancë jo shumë të largët, pak milje më në jug, është identifikuar dhe bllokuar gomonia. Në bord ndodheshin një shtetas grek dhe një shtetas shqiptar, të cilët janë ndaluar për t’u marrë në pyetje.