ANKONA– Policia kufitare e Ankonës së bashku me sektorin e antidrogës kanë sekuestruar në portin italian 300 kg drogë, i fshehur në një kamion që vinte nga Greqia. Në prangat e autoriteteve italiane kanë përfunduar dy shtetas shqiptarw.

300 kg marijuanë janë zbuluar në brendësi të një kamioni që kishte deklaruar se transportonte kuti plastike bosh. Siç raportojnë mediat italiane gjatë kontrollit të mjetit, dy shqiptarët, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, kanë shfaqur shenja nervozizmi, gjë që ka ngjallur dyshimet e autoriteteve italiane.

Pas kontrollit të imtësishëm të mjetit, policia ka zbuluar një shtresë metalike të dyshimtë, të lartë 15 cm. Karabinierët kanë zbuluar një hapësirë me fund të dyfishtë, nw dyshemenw e kamionit, në brendësi të së cilës kanë gjetur 280 pako me marijuanë, me një peshë rreth 302 kg.

Vlera e lëndës narkotike e destinuar për tregun italian arrin në rreth 3 milion euro. Dy shqiptarët janë shoqëruar për në rajonin e policisë dhe mbi ta rëndon akuza e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.