Një gomone e fuqishme që transportonte 700 kg marijuanë, me vlerë rreth 7 milionë euro, është sekuestruar pranë brigjeve të Barit nga ushtarakë të Repartit Operacional Ajror të Guardia di Finanza, ndërkohë që janë arrestuar edhe dy shtetas shqiptarë, nga Vlora.

Dy shqiptarët nga Vlora, të identifikuar me inicialet T. K., 45 vjeç, dhe D. Q., 40 vjeç, të cilët gjendeshin mbi bordin e gomones, janë vënë në pranga dhe akuzohen për trafik ndërkombëtar të narkotikëve dhe për shkelje të normave të sigurisë së lundrimit. Sipas një komunikate zyrtare nga Guardia di Finanza, ata u bllokuan pas një ndjekjeje të gjatë në det, në përpjekje për t’i shpëtuar autoriteteve. Në bordin e motoskafit gjendeshin edhe një numër i konsiderueshëm mbështjellësesh droge dhe disa bidonë benzine.