VENECIA, 19 shkurt 2013 – Policia italiane ka arrestuar 25 vjeçarin shqiptar Gerald Haxhiaj, me 2.5 kg heroinë. Lënda narkotike i është gjetur të riut shqiptar në brendësi të sediljes së makinës së tij dhe në tavanin e apartamentit ku jetonte.
Siç raportojnë mediat e vendit fqinjë, shqiptari kishte fshehur në sediljen e makinës 1 kg heroinë të pastër, ndërkohë që 1.5 kg të tjerë janë gjetur në apartamentin e tij. E ndarë në 24 mijë doza, me një vlerë prej rreth 700 mijë euro, lënda narkotike mbulonte nevojat e një jave për provincat italiane të Rivierës, Brentës dhe Mestres.
Pak ditë më parë karabinierët italianë arrestuan 6 të huaj; 5 tunizianë dhe një shqiptar, që pasi përgatisnin doza me heroinë në shtëpitë e tyre në Fiessi d’Artico, i shpërndanin në zonën përreth. Policia italiane bën të ditur se Gerald Haxhiaj kryente një udhëtim të përjavshëm nga Padova në Fiesso për t’u furnizuar me heroinë dhe sasia që transportonte për 7 ditë varionte nga 1-3 kg lëndë narkotike.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





