Presidenti iranian Hassan Rouhani vizitoi Italinë, ku edhe nënshkroi kontrata të ndryshme me vlerë mbi 17 miliardë Euro në favor të biznesit italian, dhe padyshim që kryeministri Mateo Renzi nuk do prishte mbarëvajtjen e vizitës, dhe të biznesit, për shkak të ndonjë statuje lakuriqe, qoftë ajo edhe ndonjë kryevepër botërore. Mediat italiane kanë transmetuar pamje të veprave të mbuluara nga një muze, të cilin e vizitoi presidenti Rouhanni (shih videon këtu).
Presidenti iranian kishte ardhur me çantën plot: kontrata me vlerë 17 miliardë Euro me biznesin italian, 114 avionë civilë Airbus në Francë, dhe kush e di çfarë tjetër. Tamam si ajo situata kur paraja e hedh ujin përpjetë.
Ndoshta Evropa edhe mund ta kritikojë Iranin për qëndrimin e tij ndaj Izraelit, për masën e respektimit të të drejtave të njeriut, etj., por ama edhe ia ka qejfi paratë e Iranit, sidomos tani në kohë krizash.
Italia vendosi t’i mbulojë statuja, vendosi edhe të heqë verën nga menuja e darkës shtetërore… ndonëse Franca nuk pranoi të heqë verën, dhe presidenti Rouhanni nuk shkoi fare në darkë…