DURRËS, 15 shkurt 2014 –  Në pjesën e vjetër të portit të Brindisit financierët italianë sekuestruan 6 kilogramë kokainë puro dhe arrestuan shoferin e kamionit. Një kamion me  targa shqiptare të kokës dhe targë holandeze HW35 të trajlerit tërhoqi vëmendjen e financierëve italianë. Nga kontrolli që iu bë kamionit u gjetën 6 kilogramë kokainë puro të fshehura në baterinë e modifikuar të kamionit. Përdorimi i qenit antidrogë ndihmoi në zbulimin e drogës  e cila ishte fshehur në dy vende. Në baterinë e modifikuar u gjetën 4,2 kilogramë kokainë e ambalazhuar në katër pako, ndërsa në një panel izolimi me fund të dyfishtë u zbuluan edhe dy pako të tjera me drogë me peshë 1,8 kg. Vlera e shitjes me pakicë e kësaj sasie kokaine shkonte në 3 milionë euro. Kamioni sapo kishte zbritur nga një traget i linjës Durrës-Brindisi. Pas zbulimit të drogës, menjëherë u arrestua shoferi shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur (shih në foto, sytë e mbuluar me ngjyrë të zezë). U sekuestrua kamioni, një ekskavator i vogël i ngarkuar në kamion si edhe disa celularë. Në kamion u sekuestruan dokumente, që financierët i gjykojnë si të dobishme për zhvillimin e mëtejshëm të hetimeve, njoftojnë mediet vendase.

/gj. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/