· Histori grabitjesh me dhunë për disa muaj derisa u ngeci sharra në gozhdë me djalin 16-vjeçar të një karabinieri, i cili, pasi u rrah dhe u plaçkit, ka kërkuar ndërhyrjen e policisë
DURRËS, 29 janar 2014 –Shqiptari Graciano Qori dhe moldavi Dimitru Tiganciuc arrestohen për grabitje me dhunë, njofton gazeta italiane “Il Giornale di Vicenza”. Dyshja ishte specializuar në grabitjen me dhunë të adoleshentëve, që frekuentonin diskotekat e zonës së Viçencës në Itali. Moldavi 18-vjeçar Dimitru, duke pretenduar për t’u sqaruar me viktimën, gjoja sikur viktima i kishte ngacmuar të dashurën, e nxirrte jashtë diskotekës. Sapo viktima fillonte të sqarohej, goditej papritmas me grushte e shqelma nga Gracianoja 22-vjeçar dhe moldavi. Pasi viktima binte përtokë i përgjakur, i vidhnin bizhuteri, para, telefon celular etj. Kjo histori grabitjesh me dhunë vazhdoi suksesshëm për disa muaj derisa “baby gang”-ut i ngeci sharra në gozhdë me djalin 16-vjeçar të një karabinieri, i cili, pasi u rrah dhe u plaçkit jashtë Galerisë T në rrugën “Vecchia Ferriera” të Vinçencës (në foto ndërtesa), ka kërkuar ndërhyrjen e policisë. Të dy grabitësit përfunduan në burgun vendor.
/gj. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





