Duket se numri i lartë i vaksinave të bëra në Itali po ul ndjeshëm numrin e infektuarve me Covid-19. Në 24 orët e fundit në Itali janë regjistruar 3.738 raste të reja nga 249.911 tamponë të kryer.
Ndërsa të vdekurit në 24 orët e fundit janë 126 duke e çuar në 125.919 numrin total të vdekjeve që prej nisjes së pandemisë. Vendi ka përjetuar rënie të ndjeshme të hospitalizimeve dhe shtrimeve në terapitë intensive që prej 6 prillit.
Fondacioni Gimbe, një entitet jo fitimprurës kërkimor në fushën e shëndetësisë, tha se si numri i vdekjeve ashtu edhe i rasteve të reja ishte ulur në mënyrë të konsiderueshme.
“Numri i rasteve të reja me Covid-19 nga 19 maji në 25 maj, ra me 29.5% krahasuar me një javë më parë, ndërsa numri i vdekjeve u ul me 17.4%.”
Numri i vaksinimeve ka ndikuar në uljen e rasteve ku deri tani janë kryer mbi 30 milionë vaksinime.
“Fushata e imunizimit përshpejton ritmin në Itali, ku nga 3 qershori e gjithë popullsia deri në moshën 16-vjeçare do të mund marrë vaksinën kundër koronavirusit”– tha kreu i Emergjencave Civile Figliuolo.





