1 mars 2014– Policia italiane ka arrestuar dy shqiptarë me precedentë të shumtë penalë. Zenel Gjuta, 31 vjeç, i diplomuar në Universitetin e Palermos dhe banues në Piza të Italisë dhe Kristaq Pelari, 36 vjeç, banues në Rrugën Volturno 22, po në Piza, u arrestuan për vjedhje bizhuterish me vlerë mbi 15 000 euro. Kristaq Pelari rezulton pronar i një biznesi të vogël në fushën e ndërtimit. Vjedhja u bë me thyerje në një banesë në qytezën Kapanucio të provincës së Firenzes. Ndër sendet me vlerë të vjedhura ishte një orë e shtrenjtë e markës “Rolex” dhe një varëse e florinjtë me gurë diamanti. Kristaq Pelari u përlesh me policët duke i dhënë kohë një anëtari të tretë të bandës, që të largohej me vrap.
Dy hajdutët shqiptarë u dërguan në burgun e Don Boskos të qytetit të Pizës. Policia italiane është vënë në ndjekje të anëtarit të tretë të bandës, duke mbajtur nën vëzhgim banesën dhe të njohurit e tij.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





