16 nëntor 2014 –  Miqësorja Itali – Shqipëri do të zhvillohet sipas programit në orën 20:45 në stadiumin “Luigi Ferraris” të Gjenovës. Pavarësisht reshjeve të dendura të shiut që po bien pa pushim në këtë qytet, takimi i shumëpritur nga shqiptarët nuk rrezikon të anulohet. Ndërkohë që Kombëtarja Shqiptare gjendet në Milano, në pritje të lajmeve pozitive për t’u spostuar në Liguria, në këtë krahinë janë kthyer përmbytjet e frikshme të një muaji më parë. Sasi të mëdha balte kanë pushtuar rrugët e qytetit duke i detyruar autoritet të mbyllin shkollat dhe institucionet publike. Luciano Balestrero, një 66-vjeçar është mbytur nga ujërat e rrëmbyeshëm që kanë vërshuar nga të katër anët e qytetit. Kryetari i Bashkisë, Marco Doria, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Gjenovës që të mos dalin nga shtëpitë e tyre.

Pavarësisht asaj që po ndodh në Gjenovë, sinoptikanët parashikojnë përmirësimin e motit në ditët në vazhdim, ç’ka do ta bëjë të praktikueshme fushën e stadiumit. Trajneri i Shqipërisë Gianni De Biasi ka negociuar prej më shumë se dy vjetësh me Federatën Italiane të Futbollit për këtë miqësore historike për Shqipërinë, por kurrsesi nuk e kishte parashikuar që ky 90 minutësh do të vihej në rrezik serioz vetëm për kapriço të motit. Të ardhurat që do të sigurohen nga shitja e biletave do të shkojnë për fondin e emergjencave.