Itali-Shqipëri, më shumë se një ndeshje futbolli
DURRËS, 9 nëntor 2014 – Ndeshja miqësore mes Italisë dhe Shqipërisë, e para mes këtyre dy kombëtareve në historinë e tyre, do të jetë më shumë se një sfidë futbolli. Duke pasur parasysh interesimin e shumtë të publikut si italian, ashtu edhe shqiptar, për të ndjekur këtë sfidë, në ditën e ndeshjes, më 18 nëntor, do të zhvillohen aktivitete të shumta solidariteti për të mbledhur fonde për familjet që kanë pësuar dëme nga përmbytjet e muajit të kaluar në qytetin e Xhenovës, ku zhvillohet takimi në fjalë. Federata Italiane e Futbollit (FIGC) ka ndryshuar stadiumin e zhvillimit të ndeshjes nga “Tardini” i Parmës ku ishte planifikuar fillimisht, në “Luixhi Ferraris” të Xhenovës, menjëherë pas përmbytjeve të rënda që shkaktuan shumë dëme, si dhe viktima. U vendos që kjo sfidë të shërbente për të mbledhur fonde për familjet që vuajtën nga përmbytjet në krahinën e Ligurias, ndërsa dje është bërë e ditur nga FIGC se si do të strukturohen disa prej iniciativave të bamirësisë. E para ka si synim kthimin e kësaj miqësoreje në një festë të mirëfilltë futbolli për brezat e rinj, arsye pse janë ftuar shkollat e futbollit dhe akademitë e klubeve të Xhenovës që të blejnë bileta për këtë sfidë, duke aplikuar çmime të reduktuara për fëmijët. Për të pasur sa më shumë masivitet, çmimi i biletës për fëmijët e akademive dhe shkollave të futbollit do të jetë vetëm 1 euro. Edhe për tifozët e rregullt, çmimet e biletave janë të ulëta, pasi kalojnë nga 5 euro më e lira, në 25 euro më e shtrenjta, në një impiant që ka një kapacitet prej 36700 vendesh dhe që pritet të jetë i mbushur plotësisht për këtë sfidë. Për sa u përket tifozëve shqiptarë, biletat për ta do të jenë 10 euro, ndërsa shitja e tyre do t’u bëhet nëpërmjet një sporteli të veçantë që është hapur pranë stadiumit, apo nëpërmjet FSHF-së. Kjo e fundit ka bërë të ditur se sipas legjislacionit italian, biletat blihen me dokument identifikimi, pasi janë nominale.
Gjithashtu, FIGC ka bërë të ditur se nuk do të ketë “bileta dhuratë” për lojtarët e Italisë, stafin apo sponsorët e saj. Të gjithë ata që përfitojnë rregullisht bileta të tilla, përfshirë punonjësit e FIGC, në këtë ndeshje do të blejnë bileta apo do të paguajnë një shumë simbolike për akreditimet, para të cilat do të jepen në bamirësi si pjesa tjetër e të ardhurave nga biletat. Po për bamirësi do të shkojë edhe një pjesë e të ardhurave nga të drejtat televizive, të cilat FIGC do t’i përdorë për të rregulluar disa nga impiantet sportive të qytetit të Xhenovës që u dëmtuan nga përmbytjet. Falë këtyre iniciativave, duket qartë se autoritetet e futbollit italian po planifikojnë që ndeshja e parë me Shqipërinë të kthehet në një festë të paharrueshme futbolli në stadiumin “Luixhi Ferraris”, më i vjetri ende funksional në Itali. Ndeshja pritet të jetë krejtësisht e kundërta me atë që u përjetua në këtë impiant në tetorin e vitit 2010, ku huliganët serbë me në krye Ivan Bogdanov vërtetuan nëpërmjet akteve të dhunës dhe djegies së flamurit shqiptar se si mund të shkatërrohet një aktivitet futbollistik, duke ndërprerë takimin mes Italisë dhe Serbisë.
Na bëni like ne facebook:
Na ndiqni ne rrjetet tona sociale:
Të ngjashme
Të fundit
Georgina Rodriguez komenton unazën 3 milionë dollarë të propozimit për martesë: Më e pakta…
A është intimiteti më i rëndësishëm se komunikimi? Ja çfarë tregojnë studimet për lidhjet afatgjata
‘Unë nuk i shoh filmat e mi’, Leonardo DiCaprio: Se kam parë kurrë ‘Titanikun’
Zbulohet vepra më e madhe nënujore në Francë, gjendjet muri 7 mijë vjeçar





