13 mars 2015 – Një shqiptar 54-vjeçar është ekzekutuar pas mesnate me të paktën 6 plumba, në qytetin e Torinos, në zonën e Mirafioris në jug të qytetit.
Mediet italiane raportojnë se ngjarja ka ndodhur menjëherë pasi viktima Fadil Mema doli nga shtëpia e tij për të shkuar në punë, rutinë që e kryente çdo natë. 54-vjeçari Fadil Mema punonte si shpërndarës gazetash dhe për këtë nisej çdo mbrëmje rreth orës 02:00 për të kryer detyrën e tij.
Plumbat, që i shkaktuan vdekjen e kishin goditur viktimën në zverk dhe në shpinë. Ndaj Fadilit u hap zjarr me pistoletë 6 herë. Disa nga plumbat madje goditën edhe nje furgon e një 'Fiat Croma' të parkuara afër vendit të atentatit. Sipas burimeve të policisë italiane, atentatorët kanë qenë të paktën dy perosna, të cilët pas atentatit u larguan me vrap nga vendngjarja.
Policia italiane si burim të atentatit po heton edhepër një serial vrasjesh e plagosjesh të ndodhura në Elbasan në vitet 2010-2012. Policia ka marrë në pyetje gjithashtu edhe bashkëshorten e 54-vjeçarit të ndjerë, në lidhje me takimet e shpeshta që kryente i shoqi ose mosmarrëveshjet e mundshme me ndonjë person në të kaluarën.





