UDINE, 19 qershor 2013 – Një emigrant shqiptar i quajtur, Lulzim Hadaj, goditi mbrëmë me thikë duke e lënë të vdekur në vend bashkëshorten e tij

Një krim brenda familjes shqiptare ka tronditur policinë dhe opinionin publik italian.

Një emigrant shqiptar i quajtur, Lulzim Hadaj, goditi mbrëmë me thikë duke e lënë të vdekur në vend bashkëshorten e tij Irma Hadaj, në San Giovanni të Natisones, provincë kjo në Udine të Italisë.

Në vitin 2012, 36-vjeçari kishte qenë i dënuar për keqtrajtim të anëtarëve të familjes së tij ndërsa aktet e dhunës ishin regjistruar nga viti 2003 deri ne vitin 2010.

Por pavarësisht denoncimit të bërë nga bashkëshortja e tij, vite më parë, kjo nuk e ka penguar emigrantin shqiptar ta godasë disa herë me thikë 33-vjeçaren Irma Hadaj.

“Nuk më intereson se shkoj në burg, unë të vras, të vras…”, mësohet të ketë thirrur Hadaj para se të qëllonte për vdekje gruan e tij.

Sipas mediave italiane krimi ka ndodhur përpara syve të dy vajzave të tyre të vogla 8 dhe 10 vjeç.

Ka qenë fqinji i tyre italian, i cili ka dëgjuar ulërimat e 33-vjeçares dhe që ka denoncuar ngjarjen e rëndë në polici.

Dyshohet se 36-vjeçari e ka kryer krimin për motive xhelozie megjithate policia italiane është duke hetuar rrethanat e krimit për të zbardhur detajet e ngjarjes së rëndë.

Bashkëshorti vrasës është arrestuar nga policia italiane.