Seria A e basketbollit është sërish në syrin e ciklonit. Javën e kaluar Prokuroria e Federatës Italiane të Basketbollit (FIP) ka njoftuar se ka hapur një hetim për të verifikuar mbi dyshimet për ndryshime të statistikave në disa ndeshje për përfitime më baste. Skuadra e parë e përfshirë është Givova Scafati, por klubi ka mohuar kategorikisht çdo tip përfshirjeje të drejtpërdrejtë në këtë çështje, ndërsa si masë paraprake ka zëvendësuar bashkëpunëtorët e jashtëm të ngarkuar me pjesën statistikore. Më konkretisht, statistikat e ndeshjeve në shtëpi të skuadrës Scafati, pas një serie verifikimesh, rezultojnë të ndryshuara nga një person jo i teseruar, por që mund t’i ketë bërë për përfitime personale.

Tashmë një rast i dytë, me të njëjtën dinamikë ka dalë edhe në Napoli, për të cilin ka reaguar edhe vetë klubi: “Në vijim të sinjalizimeve të marra nga Legabasket dhe thirrjet pasuese nga Prokuroria Federale, në lidhje me disa gjetje të pasakta statistikore në dy ndeshje të kampionatit aktual, S.S. Napoli Basket ka marrë menjëherë masa për verifikimin e rrethanave të raportuara me zyrtarin e statistikave të ndeshjes, i cili nuk është anëtar i Klubit”, shkruhet në komunikatën e Napolit.

Bashkëpunëtori i statistikave është larguar nga klubi, ashtu sikurse kishte ndodhur edhe te skuadra Scafati. “Duke pranuar përgjegjësinë e tij ekskluzive personale për ndryshimin e disa statistikave të 2 ndeshjeve të sipërpërmendura, ai hoqi dorë menjëherë nga roli i tij. Napoli Basket e deklaron veten krejtësisht të palidhur me faktet, si dhe një palë të dëmtuar dhe është në dispozicion të autoriteteve kompetente për të cilën ka të drejtë të raportojë tashmë, për mbrojtjen e vet në çdo situatë”, përfundon komunikata e Napolit.