LECCO – Një komunikatë e shoqatës "Les Cultures Onlus", të cilës i referohet "Shqiptari i Italisë" njofton se, një gruaje shqiptare, e ardhur në Itali për t’i shpëtuar dhunës së të shoqit, i është njohur në tetor të vitit të shkuar statusi i refugjatit nga komisioni territorial i Milanos. Historia ka nisur në mars 2011, kur një grua në vështirësi i drejtohet qendrës së ndihmës dhe mbështetjes së grave “Telefono Donna”. Gruaja me qëndrim të parregullt dhe pa burime financiare tregon se, ishte larguar nga Shqipëria për t’i shpëtuar të shoqit, njeri i dhunshëm dhe se kishte kërkuar mbrojtje në Itali.

Operatorja e qendrës “Telefono Donna” i përcjell rastin avokates Maria Grazia Corti, bashkëpunëtore e Zyrës për të drejtat e shoqatës "Les Cultures ONLUS", që në bashkëpunim me ndërmjetësuesen kulturore, Brizida Haznedari, konsulente juridike administrative për imigracionin në provincën e Leccos, angazhohen konkretisht për zgjidhjen e çështjes së shqiptares.

Nisin menjëherë një punë për dokumentimin e dhunës së pësuar nga gruaja, për certifikimin nga mjekë specialistë të shenjave të dhunës në trupin e saj. Paraqitet padi në kuesturën e Leccos dhe i kërkohet Zyrës së Imigracionit një leje qëndrimi, fillimisht sipas nenit 19 të Tekstit Unik mbi imigracionin, që parashikon mosdëbim të të huajit në rast se rrezikon jetën në vendlindje, e më pas sipas nenit 18, që parashikon lëshimin e lejes për mbrojtje sociale të individit. Të dyja kërkesat u hodhën poshtë.

Ndërkaq, gruaja mbahet në një shtëpi pritjeje, të mbrojtur falë një projekti të përbashkët të “Telefono Donna Merate” dhe të shoqatës “Soroptimist” dhe i niset kërkesa për njohjen e statusit të refugjatit Komisionit Territorial të Milanos. Ky i njeh gruas statusin e refugjatit, duke marrë në konsideratë qoftë dhunën që ajo ka pësuar në familje, qoftë faktin se shteti i saj, faktikisht, nuk mbron paprekshmërinë e grave nga një kërcënim jete aq i rëndë sa të meritojë mbrojtje ndërkombëtare.

Komisioni territorial i Milanos vlerëson jo vetëm dhunën, që gruaja pësonte në familje, por edhe faktin që në vendlindje “nuk mbrohet paprekshmëria e gruas nga kërcënime aq të rënda, sa ajo të meritojë mbrojtje ndërkombëtare”.