Italia është kualifikuar që në ndeshjen e dytë në grupe për në 1/8 e “Euro 2016”. “Azurrët” siguruan kualifikimin pas fitores që arritën pasditen e së premtes me rezultatin 1-0 ndaj Suedisë. Goli i vetëm i këtij takimi u realizua nga Eder në minutën e 88′ të pjesës së dytë.
Ndryshe nga pjesa e parë, italianët u shfaqën më kërkues ndaj golit në pjesën e dytë. Rastin më të mirë për gol e patën sërish italianët në minutën e 82′. Një top i harkuar nga Xhakerini në zonë goditet me kokë nga Parolo, por topi përfundon në traverse.
Pjesa e parë
Pak emocione në pjesën e parë. Italianët dhe suedezët zhvilluan një lojë të kujdesshme në 45′ duke mos lejuar shumë hapësira në portat respektive.
Suedia u shfaq më kërkuese ndaj golit duke qarkulluar më shumë topin. Italianët lëshuan në mbajtjen e topit (43 me 57 %), ndërsa Eder dhe Pele ishin larg rrezikut për portën kundërshtare. Ibraimoviç nga krahu tjetër ishte nën mbrojtjen e rreptë të “azurrëve”.
Suedia vinte në këtë takim pas barazimit 1-1 me Republikën e Irlandës dhe përballja me Italinë cilësohej si sfida më e vështirë e Grupit E.
Suksesi kundër Suedisë duket se sjell një gëzim të dyfishtë, pasi në të njëjtën kohë Italia ‘hakmerret’ edhe për eliminimin në Europianin e vitit 2004. Ndërsa Suedia kërkoi fitoren për të kapur kreun, por me këtë rezultat mbetet sërish në vendin e dytë me 1 pikë.
Rezultati final:
Itali – Suedi 1 – 0
Gol: Eder 88′
/Panorama Sport/





