ROME,12 gusht 2013Një shqiptar është therur për vdekje me thikë në Grosseto të Italisë, ndërsa në pranga ka rënë një banor i provincës. 

Mëngjesin e të dielës në një rrugicë në periferi të Grossetos është gjetur i vdekur Klevis Kuko, 28 vjeç nga Tirana, rezident në Toskanë prej katër vjetësh, i papunë për momentin (punonte herë pas here në ndërtim) dhe pa precedentë penalë. 

Karabinierët, te cilet u lajmëruan nga një kalimtar e kanë gjetur të pajetë Klevis Kukon, mbytur në një pellg gjaku buzë rruge në një zonë industriale shumë pak të frekuentuar mbrëmjeve. Në kurriz dhe fytin e të riut u ekzaminuan rreth dhjetë goditje thike. Pak metra nga trupi i Kukos, u gjet dhe thika ende e gjakosur dhe motoçikleta me të cilën ai duhet të ketë shkuar deri aty. 
Pasi kanë dëgjuar në kazermë 5 persona, në mbrëmje karabinierët kanë arrestuar 21-vjeçarin nga Grosseto, Mirko Fiorini. Ndaj tij karabinierët kanë mbledhur gjurmë provash që e konsiderojnë atë si të dyshuar kryesor për vrasjen e të riut shqiptar. 
I riu italian e ka mohuar të ketë pasur gisht në vrasje, por karabinierët janë bindur se ai është autori pasi kanë gjetur një një të prerë që Fiorini kishte në dorë dhe që ka mjekuar të dielën në spitalin Misericordia. 
Pas marrjes në pyetje që ka zgjatur disa orë, Mirko Fiorini është mbyllur në burgun në rrugën Saffi të qytetit. 

Për hetuesit, Fiorini duhet të jetë përgjegjësi i vetëm për vdekjen e 28-vjeçarit, por vazhdohet të punohet për të kuptuar shkaqet e vrasjes. 

/balkanweb/