Itali, 4 shtator 2014 – Ky shtator ka filluar mbrapsht për emigrantët shqiptarë në Itali. Në 2 dhe 3 shtator, tre prej tyre kanë mbetur të plagosur rëndë në tre aksidente automobilistike.
Në 3 shtator 2014, afër qytetit të Cerinjolës, në provincën e Barit, ndodhi një aksident automobilistik. Një Fiat Punto, që drejtohej nga një italian 81 vjeçar u përplas me një Audi 3, në timonin e të cilit ishte shqiptari Lorjan Alushaj, 30 vjeç, ndërsa pasagjere ishte një shtetase italiane, 47 vjeçare. Italiani 81 vjeçar vdiq në vend, ndërsa italiania 47 vjeçare dhe Lorjani përfunduan në spital të plagosur rëndë. Policia po heton për shkaqet e aksidentit.
Po në 3 shtator, afër qytezës së Vajanos, rajoni i Toskanës, një furgon me shofer një shtetas italian goditi një veturë me tre persona në bordin e saj. Nga goditja vdiq në vend një shtetase italiane 86 vjeçare dhe u plagos i biri, 60 vjeç si edhe miku i tyre shqiptar Niko Muka, 37 vjeç, që u shtrua në spital në gjendje të rëndë me disa trauma.
Në 2 shtator 2014, në afërsi të qytetit të Modica-s, në Sicili ndodhi një aksident i rëndë rrugor. Makina tip Honda Civic, e drejtuar nga shqiptari G.C. 25 vjeç u përplas me një veturë tip Lancia Y e drejtuar nga një 44 vjeçare italiane. Shqiptari mbeti i plagosur rëndë, veçanërisht në kokë, ndërsa gruaja u plagos në gjoks. 25 vjecari shqiptar u dërgua me helikopter në gjendje të rëndë në spitalin Kanixaro (Canizzaro) të Katanias.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





