PALERMO – Nxirret trupi i viktimës së katërt që humbi jetën nga rrëzimi i dy pallateve në Palermo, Itali. Trupi i fundit i gjetur është ai i Elena Trapanit, 74 vjeçare, e cila humbi jetën bashkë me nipin e saj, 54 vjeç. Në këtë fatkeqësi gjetën vdekjen edhe dy bashkëshortët Accardi, 82 vjeçarë.
Ndërkohë shtatë persona kanë mbetur të plagosur. Anëtarët e një familje, dy bashkëshortët dhe një vajzë 7 vjeçare ndodhen të gjithë në spitalin e qytetit si pasojë e plagëve të marra, në pjesë të ndryshme të trupit. Katër persona të tjerë janë intoksikuar nga pluhuri i ngritur gjatë shëmbjes së ndërtesës dhe janë paraqitur në spital për të marrë ndihmën e parë.
Në vendngjarje është edhe kryetari i bashkisë së Palermos, Leoluca Orlando, i cili po organizon punën për të sistemuar familjet e mbetura të pastreha.
"Para një viti godinës iu shtua edhe kati i katërt e që nga ajo kohë banesa ishte çarë në shumë vende. Dje, zhurmat që vinin nga trarët që nuk mbanin më u bënë edhe më të theksuara se zakonisht, prandaj thirrëm zjarrfikësit. Sapo ata na nxorrën jashtë, godina u shemb”,- thotë Giuseppina Ferrara, që bashkë me familjen e saj jetonte në katin e tretë të kësaj banese.
Dy pallatet u shembën mbrëmjen e djeshme. Shumë forca zjarrfikëse dhe efektivë të policisë ishin që mbrëmë në vendngjarje për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve.