“Ujësjellësi nga Shqipëria në Pulia, drita jeshile për projektin një miliard euro”!
Ky është titulli i artikullit të publikuar sot në gazetën italiane “Corriere della Sera”.
Projekti i hedhur disa herë në tryezat e palës shqiptare nga Italia duket se më në fund ka marrë “OK” nga qeveria Rama. Në artikull thuhet se qeveria shqiptare i ka dhënë dritën jeshile ujësjellësit që do të lidhë Gjirokastrën në Shqipëri, me Galugnano, në Salento.
“Qeveria shqiptare na ka autorizuar të fillojmë projektimin e ujësjellësit që do të lidhë Shqipërinë me Italinë. Shqipëria hedh një sasi të madhe uji të mirë në det dhe padyshim ka interes të paguhet për ujin.
Ne kemi interes ta marrim sepse për ne uji do të thotë t’i japim një model të ri bujqësisë, të bëjmë turizmin të rritet dhe t’u japim një të ardhme të gjithë pulianëve”, deklaroi presidenti i rajonit të Pulias, Michele Emiliano, gjatë një konference për shtyp në Bari për investimet në sistemin e ujit.
Për të ndërtuar infrastrukturën do të duheshin 4 vjet punë dhe një miliard euro, për t’u financuar nga BEI, BERZH, shteti italian, rajoni dhe burimet e veta të ujësjellësit në Pulia. Qëllimi është që çdo vit të transportohen 150 milionë metër kub ujë në Pulia.
“Për Pulian është një infrastrukturë strategjike, duke pasur parasysh thatësirën që ka karakterizuar vitet e fundit. Por Shqipëria do të kishte edhe një kthim ekonomik, duke qenë se do të hapeshin rreth 8000 vende të reja pune direkte dhe indirekte” vijon më tej shkrimi.