Një shqiptar i dënuar për kryerjen e krimeve në Abruzzo të Italisë, i kërkuar nga Prokuroria Publike e Peruxhias, është arrestuar teksa fshihej në Greqi.
Autoritetet greke njoftuan se arrestuan dje një 44-vjeçar për llogari të autoriteteve italiane me qëllim ekstradimi, subjekt i një urdhër-arresti evropian.
Ai ishte në kërkim që nga marsi i vitit 2024, në lidhje me një dënim për trafik droge.
Shqiptari ishte pjesë e një organizate komplekse kriminale aktive kryesisht në zonën e Pescarës, e dedikuar për blerjen dhe shitjen e drogës dhe e përbërë nga 34 persona me kombësi italiane dhe shqiptare.
I kërkuari vepronte kryesisht në fshatrat Montesilvano dhe Popoli, zona ku aktivitetet e tij u dokumentuan në vitin 2007. Gjatë hetimit në atë kohë, shqiptarit iu gjet në posedim një sasi e madhe narkotikësh: katër kilogramë e gjysmë heroinë dhe gjysmë kilogrami kokainë, gati për t’u shpërndarë në tregun e paligjshëm. Provat e mbledhura çuan në një dënim përfundimtar prej katër vjetësh e një muaji burg.
Identifikimi i tij u bë i mundur falë aktiviteteve të synuara hetimore dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar policor, të koordinuara nga Divizioni SIRe.NE – Shërbimi për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor i Departamentit të Sigurisë Publike, në bashkëpunim me autoritetet e huaja.
Hetimet çuan në vendndodhjen e tij fillimisht në Spanjë, ku kishte vuajtur dënimin në burgun e Valencias, dhe më pas në Greqi.
Oficerët grekë më në fund e identifikuan dhe e arrestuan atë në Aeroportin Evzoni, duke i dhënë fund statusit të tij të arratisur, informon media italiane.
44-vjeçari do vuajë dënimin e mbetur prej 3 vitesh e 11 muajsh burg. Procedurat e ekstradimit në Itali janë duke u zhvilluar.





