Trajneri Xhanpiero Ventura do të jetë i detyruar të bëjë ndryshime në listën e tij për ndeshjen kundër Shqipërisë pasi nuk do të ketë në dispozicion një nga sulmuesit që kishte grumbulluar. Manolo Gabiadini ka lënë fushën e lojës sot që në pjesën e parë të ndeshjes mes Totenhemit dhe Sauthemptonit, ndërsa parashikohet që të qëndrojë pushim për të paktën një javë.
Lojtari po kalonte një formë të shkëlqyer të Sauthempton, duke gjetur rrugën e rrjetës me një rregullsi të admirueshme, aq sa kishte shënuar 6 gola në po aq ndeshje të luajtura në kampionat dhe Kupë me skuadrën e tij duke fituar edhe çmimin e futbollistit më të mirë të muajit shkurt.
Por në minutën e 31-të të sfidës së sotme, Gabiadini pësoi një tërheqje muskulore dhe u detyrua të braktiste fushën e lojës për këtë dëmtim i cili parashikon të paktën një javë pushim dhe që bën të pamundur aktivizimin e tij kundër kuqezinjve.
Ky padyshim që është një shqetësim më pak për Kombëtaren shqiptare për shkak të formës që po kalonte sulmuesi. Por nuk duhet harruar gjithsesi se Italia ka në përbërje të saj elementë të tjerë me shumë cilësi në repartin e avancuar si Imobile, Beloti apo Insinje.