Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto nënshkroi paraditen e sotme me ambasadorin e Italisë në Tiranë, Alberto Cutillo, marrëveshjen ndërqeveritare të projektit “Project facility për studime fizibiliteti dhe projektim në nivel përfundimtar në sektorin e infrastrukturave”.
Marrëveshja parashikon një financim të Kooperacionit Italian prej 2 milionë eurosh që do të përdoret për disa segmente rrugore në tri projekte:
Për projektimin paraprak, përfundimtar dhe studimin e impaktit mjedisor për dyfishimin e segmentit rrugor Milot-Shkodër (në Veri të Shqipërisë), me qëllim përforcimin e korridorit të rëndësishëm veri-jug drejt Malit të Zi, segmenti rrugor Vaqarr – Kavajë (qyteza që i përkasin Bashkisë së Tiranës), si dhe by-pass-i i Elbasanit, që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në korridorin lindje-perëndim, duke qenë se ky qytet është i vendosur përgjatë aksit rrugor që shkon nga Durrësi në Qafë Thanë.