Aeroporti në qytetin sicilian të Katanias, një nga pikat kryesore turistike në Sicilinë lindore, është mbyllur deri të mërkurën për shkak të një zjarri, bëri të ditur kompania e menaxhimit të aeroportit në Twitter.

Zjarri shpërtheu vonë të dielën dhe nuk pati të lënduar, njoftoi aeroporti.

Zjarrfikësit thanë se ishin në gjendje të frenonin zjarrin rreth 90 minuta pasi u ndez, por nuk dhanë detaje mbi shkakun e mundshëm apo ndonjë lidhje me temperaturat e larta aktuale në rajon.

Katania është një nga qytetet italiane që lëshoi alarmin e kuq për temperaturat e larta të dielën, së bashku me kryeqytetin sicilian Palermo dhe qytetin e tretë më të madh në ishullin Mesina.

Vendi po përgatitet për temperatura të larta rekord në ditët në vijim.

Fluturimet në aeroportin sicilian, i cili sipas grupit të sektorit Assoaeroporti, ishte i pesti më i ngarkuari në Itali vitin e kaluar, u pezulluan deri të mërkurën në orën 14:00 me kohën e Evropës Qendrore, njoftoi kompania.

Agjencia e lajmeve Ansa njoftoi se pas shpërthimit të zjarrit, në pjesën e poshtme të ndërtesës u shfaq tym i dendur, duke bërë që njerëzit të largoheshin nga aeroporti në panik.

Aeroporti i Katanias përdoret rregullisht nga turistët që shkojnë në vende si mali Etna dhe Taormina, i cili është rreth 70 kilometra larg, dhe Sirakuza, me teatrin e tij grek dhe qendrën historike në ishullin Ortigia.

Dhjetëra miliona njerëz janë duke u përballur me temperatura shumë të larta në gjithë botën.

Moti i nxehtë në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Azi, konsiderohet një prej shembujve se si rrezikohet bota nga ngrohja globale.

Temperatura mesatare globale e ka prekur një rekord të ri në javën e parë të korrikut.

Temperatura mesatare në botë e ka prekur shifrën 16.89 gradë Celsius më 3 korrik dhe e ka tejkaluar shifrën 17 gradë për herë të parë më 4 korrik, me një mesatare globale prej 17.04 gradë Celsius. /REL