Brazil, 15 qershor 2014 – Italia ka marrë një trepikësh të artë, duke mundur rivalët direkt në fazën e grupeve, Anglinë. Skuadra e Çezare Prandelit iu fal golave të Markizios dhe Balotelit, për të zhvleftësuar baraz imin e përkohshëm të anglezëve me anë të Starrixh dhe duke bërë një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në raundin tjetër. Anglia e nisi me një modul tepër sulmues, ku para dy mesfushorëve Xherrard dhe Henderson ishin katër futbollistë tepër ofensivë, si Sterling, Runi, Uelbek dhe Starrixh.  

Ndërkohë, italianët u kundërpërgjigjën me një mesfushë tepër të ngjeshur, me De Rosin para mbrojtjes, Verratin, Pirlo dhe Markizion në rolin e “regjisorit” dhe Kandrevën që  mbështeste Balotelin. Ndërsa portën e mbulonte Sirigu, në vendin e Bufonit të dëmtuar.  Shkëndijën e parë e dhanë anglezët, të cilët tentuan me dy goditje të rrezik- shme nga distanca, në fillim me  Sterling dhe më pas me Xherrardin. Gjithsesi, të kaltrit  morën kontrollin e lojës, duke  dominuar në zotërimin e topit.  

Pas disa minutash të “përgjumura” prej dy ekipeve, italianët arritën të zhbllokonin rezultatin në minutën e 35-të. Një pasim nga goditja e këndit, u filtrua bukur nga Pirlo, për t’i dhënë mundësinë Markizios që të realizojë një gjuajtje precize nga 20 metra distancë, duke shkundur rrjetën e Hartit. Por, ende pa marrë veten nga festa, djemtë e Prandelit u ndëshkuan. Vetëm dy minuta më pas, një kundërsulm i rrufeshëm i anglezëve solli golin e barazimit me anë të Starrixh, që shtyu lehtësisht topin në rrjetë, pas asistit të Sterlingut.

Vetëm pesë minuta pasi filloi pjesa e dytë, të kaltrit kaluan sërish në avantazh. Këtë herë ishte Kandreva,  ai që dhuroi një krosim të shkëlqyer brenda zonës, ku Baloteli nuk fali në luftën në ajër, duke e zhytur topin me kokë në portën e Hartit dhe 2-1 për ekipin e Prandelit. Në minutën  e 55-të, Xherrard u pengua brenda zonës dhe anglezët pretenduan për 11-metërsh, por arbitri Kuipers nuk ishte i të njëjtit mendim. Në minutat e mbetura, Italia mendoi për të ruajtur avantazhin e krijuar, duke u kthyer në gjysmëfushën e vet, ndërkohë që anglezët nuk gjetën hapësirat e duhura, për  të evituar humbjen  e parë të botërorit.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/