Italia është në krizë për infermierë dhe po hedhin sytë nga India!
Alarmin e japin mediat vendase, të cilat thonë se në shumë spitale mungesa e infermierëve është e madhe. Në këto kushte, India shihet si vendi më i përshtatshëm për të rekrutuar infermierë.
Ministri italian i Shëndetësisë, Orazio Schillaci tha se ”Kemi nisur procesin e rekrutimit dhe synohet të sjellë në Itali disa mijëra infermierë nga India. Ky është një operacion jetik për sistemin shëndetësor kombëtar, në të kundërt rrezikon kolapsin dhe ndalimin e aktiviteteve”, shtoi ministri.
Në Kalabri rajoni ka përdorur 170 mjekë nga Kuba, ndërsa vendi në tërësi po përpiqet të mbushë boshllëqet në stafin infermieror duke imituar vende të tjera si Gjermania, Suedia, Mbretëria e Bashkuar, Irlanda, Kanadaja dhe Japonia.
Në Itali numërohen gjithsej 465 mijë infermierë, por regjistrimet nëpër universitete kanë pasur një rënie prej 10 për qind të aplikimeve. Deri më sot, mungesa e infermierëve është rreth 65 mijë njësi.