Itali, 3 maj 2014 – Shirat e rënë gjatë orëve të fundit kanë krijuar një situatë dramatike në qytetin e Senigallia-s, në rajonin e Markes. Dy të vdekur janë regjistruar në këtë zonë. Viktimat janë dy të moshuar të cilët kishin nevojë për ndihmë, por për shkak të rrugëve të përmbytura nga uji, ndihma e shpejtë nuk arriti në kohë.

I gjithë qyteti i Senigallia-s është nën ujë, ndërkohë që vështirësi në qarkullim po hasen edhe në shumë rajone të tjera. Sipas medieve italiane, edhe rajoni i Lacios kërcënohet nga problemet që mund të lindin si pasojë e motit të keq që ka përfshirë gadishullin.

Ndërkohë kryeministri italian, Matteo Renzi i ka telefonuar presidentit të rajonit të Markes, Gian Mario Spacca për t’i shprehur solidaritetin dhe gjithë mbështetjen e nevojshme për të kapërcyer këtë moment të vështirë. Mbrojtja Civile Kombëtare është duke monitoruar me kujdes situatën e krijuar në rajonin e Markes dhe po planifikon ndërhyrjet emergjente.

 /agjencia e lajmeve "Dyrrah"/