Pas Milan e Atalanta edhe Juve e sheh veten jashtë Champions League, një përfundim shumë zhgënjyes që pritet të ketë efekt domino edhe në sezonin e ardhshëm, kjo pasi vendi i 5-të në Champions tani duket një mirazh për ekipet italiane.

Serie A shpresonte të shkonte me 5 ekipe sezonin e ardhshëm në Champions, por eliminimi i tre ekipeve që në fazën e Ligës e bën thuajse të pamundur këtë përfundim. Premier League dhe La Liga janë në pozicione komode. Sigurisht i trishtuar pas eliminimit u shfaq edhe Thiago Motta:

“PSV nuk e dëshironte më shumë kualifikimin se sa ne. Pas golit të barazimit, ata shtynë më shumë, krijuan më shumë, ishin superior. As ne nuk qëndruam pasiv, kishim rastet tona, si me Vlahovic në fund. Në përgjithësi ishte një ndeshje e hapur dhe e luftuar.

Gjithsesi, tani është koha të shohim përpara, që nga kjo e diel kemi një ndeshje të rëndësishme në kampionat kundër Cagliari-t. Në Champions ka një nivel të lartë, ne hasëm shumë vështirësi. Nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të menaxhojmë këtë humbje. Na vjen shumë keq për këtë eliminim, por dhe kjo është pjesë e lojës, e punës tonë”, u shpreh Motta.