Në përpjekje për të frenuar mbiturizmin dhe për të mbrojtur bukuritë natyrore, Italia po vendos masa të reja kufizuese në disa nga destinacionet e saj më të njohura. Plazhi Tuerredda në jug të Sardenjës, një gji piktoresk me rërë të artë dhe ujëra të kristaltë, do të jetë i aksesueshëm vetëm me rezervim përmes një aplikacioni.

Kufiri ditor i vizitorëve në këtë plazh është vendosur në 1,100 persona, ndërsa autoritetet e komunës së Teulada synojnë që sistemi i rezervimit të nisë që në korrik.

“Shpresojmë ta zbatojmë sistemin e ri këtë verë, për të ruajtur ekuilibrin mes turizmit dhe natyrës”, u shpreh Angelo Milia, kryebashkiaku i Teulada-s.

Kjo masë vjen në kuadër të një strategjie më të gjerë në nivel kombëtar, pasi Italia përballet me një fluks të lartë turistësh, sidomos gjatë sezonit veror. Rreth 50 milionë turistë vizitojnë vendin çdo vit, duke sjellë mbingarkesë në qytete historike dhe plazhe të njohura.

Javën e kaluar, kryetarë bashkish nga Capri, Positano, Amalfi, Cinque Terre, Taormina dhe zona të tjera turistike u mblodhën në një samit për krizën e mbiturizmit. Ata kërkuan më shumë kompetenca për të kontrolluar fluksin e vizitorëve, për të rregulluar oraret e trageteve dhe për të vendosur taksë turistike ose masa të tjera lokale.

“Duam të mbrojmë cilësinë e përvojës për vizitorët dhe jetesën për banorët tanë”, tha Paolo Falco, kryebashkiaku i Capri-t, duke propozuar kufizime për oraret e trageteve që përmbytin ishullin gjatë verës.

Në Capri, për shembull, numri i turistëve në muajt maj dhe qershor kaloi 16,000 vizitorë, duke tejkaluar popullsinë rezidente prej 13,000 banorësh.