Italia ka zgjeruar territorin e lockdown-it, duke futur në zonën e kuqe edhe rajonin e Campania-s dhe Toscana-s. Shkak për këtë është bërë numri i lartë i rasteve me Covid-19 në ditët e fundit.
Urdhri i ri pritet të firmoset mbrëmjen e sotme nga ministri i shëndetësisë Roberto Speranza dhe do të hyjë në fuqi të dielën, me 15 nëntor.
Sakaq në zonën portokalli, pra me një numër pak më të ulët të infektuarish janë kategorizuar rajonet e Emilia Romagna, Marche dhe Friuli Venezia Giulia.
Drejtori i Politikave parandaluese të Sëmundjeve Infektive Profesor Dok. Giovanni Rezza në një video mesazh informon se koeficienti i të infektuarve në nivel kombëtar është rritur në mënyrë preokupuese . Aktualisht përllogariten 650 të infektuar për 100 mijë banorë, nga 550 të infektuar për 100 mijë banorë që ishte javën e kaluar.
Në disa rajone raportohet se ka pamjaftueshmëri shtretërish për të përballuar pacientët e prekur nga Covid-19.