ITALI, 24 shkurt 2013- Italia mban sot dhe nesër zgjedhjet parlamentare dhe të përzgjedhjes së senatorëve.
Anketat e fundit tregojnë se udhëheqësi i Partisë Demokratike Pier Luigi Bersani është kandidati favorit për postin e kryeministrit të ardhshëm të Italisë ndërsa ish-kryeministri Silvio Berluskoni renditet i dyti në sondazhe.
I treti është koalicioni i qendrës, i drejtuar nga Kryeministri Mario Monti, me listën e tij, kristian-demokratet dhe një parti të vogël të qendrës së djathtë. Por një figurë shumë me influencë është “Lëvizja Pesë Yjet” e aktorit komik Beppe Grillo që ka vënë në shënjestër të gjithë klasën politike italiane. Zgjedhjet po zhvillohen dy muaj më herët, pasi partia e Silvio Berluskonit nuk mbështeti qeverinë teknokrate të Mario Montit.
Gara do të rrotullohet tek Senati, ku vendet sigurohen në baze të rajoneve. Qendra e majtë dhe ajo e djathtë janë të barabarta në disa rajone, përfshirë edhe qëndrën industriale Lombardine, e cila është edhe qendra më e madhe e senatoreve.
Disa analistë parashikojnë rënien e Montit poshtë pragut prej 8% në disa rajone dhe kjo mund të rezultojë shkatërrimtare për Italinë. Ata mendojnë se Kryeministri në ikje po paraqitet dobët në zgjedhjen e parë. Ajo qe parashikohet gjerësisht është aleanca e mundshme mes Bersanit dhe Montit, por për këtë kryeministri në ikje duhet të fitojë shumë senatorë që do të fuqizonin qendrën e majtë. Bersani ka garantuar se ai është i gatshëm për një aleancë me Montin, edhe sikur qendra e majtë të marrë shumicën.
Kryeministri i ardhshëm dhe anëtarët e parlamentit do të zgjidhen gjatë votimit që do të zhvillohet të dielën dhe të hënën.