9tetor 2015 – Italianët bëjnë çorap policinë shqiptare, e cila pasi zbuloi skemën e tyre arriti të vërë në pranga 6 persona, mes tyre edhe një mjek. Sipas të dhënave zyrtare të policisë, historia u zbardh pasi një 37-vjeçar me inicialet R.D., banues në Taranto, Itali, denoncoi në portin e Durrësit grabitjen e makinës së tij “Audi A4” në qytetin e Lezhës. Ai kishte qenë bashkë me dy shokët e tij, Roberto Novelli dhe Carmine Frascella, të cilët nuk e lejuan të denonconte në Lezhë, por në Itali, me qëllim përfitim nga siguracioni.
Në fakt dy italianët ishin vetë autorët e grabitjes së makinës Audi, prodhim i vitit 2010. Tre ditë më parë ata kishin hyrë në Shqipëri me një makinë “Golf 5”, të cilën e shitën për dy mijë euro, dhe do ta denonconin si të vjedhur në Itali. Për fat të keq, miku i tyre, pronari i Audit u aksidentua gjatë kohës që po qëndronte në hotel “Ambasador” në Lezhë dhe përfundoi në spital.
Kjo kohë u shfrytëzua nga italianët për t’i grabitur makinën bashkëkombasit të tyre, në bashkëpunim me Valentin Markun dhe Klajdi Dodën. Ky i fundit e bleu makinën e vjedhur për 4 mijë euro dhe u largua me shpejtësi. Nga ana e tij, pronari i makinës, i tronditur nuk ka mundur që të denoncojë dot në Lezhë, por sapo mbërritur në Durrës ka treguar se çfarë kishte ndodhur.
Veç këtyre personave u ndalua edhe mjeku Arjan Brahimaj, i cili nuk lajmëroi policinë për plagosjen e shtetasit italian. Nga verifikimi në hotel, edhe administratori Ergin Mataj u ndalua, për mospagesë të detyrimeve tatimore.
/portali DurresLajm/