14 nëntor 2015 – Një debutim të tillë e ëndërrojnë të gjithë. Por, për Rey Manaj, ëndrra u bë realitet. Sulmuesi hyri në fushë kur kronometri tregonte 54 minuta e 18 sekonda. Goditje dënimi për Shqipërinë. Prekja e parë e topit nga Manaj dhe gol në harkun e 12 sekondave. Kaq i mjaftoi talentit të Interit që të realizonte golin e parë në Kombëtaren A, në vëllazëroren me Kosovën në Prishtinë. Një rekord unik, që nuk kaloi pa u vënë re nga mediat italiane. Duke nisur nga e përditshmja më e madhe sportive, Gazzetta Dello Sport, që lavdëronte primatin e 18-vjeçarit.
Sipas portalit “Goal”, me rrjetën e realizuar në debutim, Manaj ishte i pabesueshëm. Edhe faqja zyrtare e klubit të Interit i dedikoi një titull të madh paraqitjes së talentit, tek i cili trajneri Roberto Mancini beson dhe këmbëngul ta mbajë në skuadër. Një rekord historik që e bën edhe më të bukur historinë e djaloshit të lindur në Lushnje, që vetëm dy vjet më parë luante me të rinjtë e Sampdorias dhe përpara një viti aktivizohej në Ligën Pro me Cremonesen.
Pas transferimit gjatë verës te Interi, lojtari debutoi edhe në Serinë A, ku Mancini e ka aktivizuar ndaj Atalantës dhe Sampdorias. Por, ky nuk është rasti i parë që Manaj debuton me gol me fanellën kuqezi. Në mars të këtij viti, sulmuesi i talentuar debutoi me gol edhe në radhët e përfaqësueses U-21, në fushën e Lihtenshtejnit.
/portali DurresLajm/