25 familje të mbetura të pastreha nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 u bënë me shtëpi të re.

Shorteu publik për pallatin nr.30, në lagjen nr.5 të Durrësit u karakterizua në fillim nga debate mes banorëve dhe stafit të bashkisë. Familjarët kërkonin të merrnin apartamentet në të njëjtat pozicione, ku banonin para tërmetit.

Pas debateve të shumta, banorët u dakordësuan për t’ju nënshtruar shorteut.

Që nga sot, ata mund të gëzojnë shtëpitë e reja, pasi bashkia u dorëzoi edhe çelësat e apartamenteve. Për disa, shtëpia e re është lumturia më e madhe, pas 4 viteve të kaluara në shtëpi me qira, por ka dhe të tjerë që shprehin disa pakënaqësi.

“Jam shumë e gëzuar. Falenderoj bashkinë, kryeministrin, që na bënë me shtëpi të re”,- thotë një banore për “DurrësLajm”.

“Në Itali ka 16 vite që ka rënë tërmeti akoma italianët banojnë me plasmasë. Ndërkohë neve na jep shteti shtëpi”,– tha një tjetër qytetar.

“Tek lagja e re janë të gjithë pallatet me grila, ne jemi si fushë futbolli. Do na i vini grilat? Punimet si janë bërë nuk i kemi parë, se gjithnjë ka qenë me çelës. Unë se ku do hy, nuk e di”,- tha njëra nga banoret.

25 familjet e pallatit në rrugën “Hysen Myshketa” u bënë me shtëpi të re, por ndërkohë janë futur në borxhe për shkak të mosdhënies së bonusit, si mijëra familje të tjera që prej 8 muajsh nuk marrin subvencionimin e qirasë.

Deri më tani, në bashkinë Durrës janë rindërtuar 12 godina në po të njëjtin vend, ndërsa drejt përfundimit është siti i pallateve të reja në Spitallë, ku po ndërtohen 996 apartamente për të pastrehët e tërmetit.

M.B.