16 korrik 2015 – Pasi ka kaluar mbi një vit nga ceremonitë e binjakëzimeve të bujshme të bashkisë / komunës italiane të “qytetit të ullinjve” (città degli ulivi), sikurse njihet Bitonto-ja (provinca e Barit, rajoni i Apulies) me qytete kineze dhe Durrësin, media vendore thotë se ka vetëm heshtje.
Më 16 korrik 2015, portali “dabitonto.com” përmend se më 24 prill 2014 në Bitonto nënkryetarja e bashkisë mikpritëse Rosa Calo dhe kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka nënshkruar një marrëveshje që do t’i hapë rrugë binjakëzimit të dy njësive të qeverisjes vendore. Binjakëzimi midis Durrësit dhe Bitontos (me popullsi rreth 56 mijë banorë) do t’i hapë rrugë bashkëpunimit në shumë fusha midis dy qyteteve: ekonomik, social-kulturor, sportiv dhe sidomos turistik. Portali shënon se pak më shumë se dy muaj më vonë, në qershor 2014, është një grup bitontinësh, i udhëhequr nga kryebashkiaku Michele Abbaticchio, që shkon në Ballkan për të forcuar binjakëzimin dhe për të hedhur të zezën mbi të bardhë bazat e fillimit dhe veprimit. Në administratën e bashkisë së Durrësit u dorëzua një propozim për joint-venture me kompanitë e zonës artizanale të Bitonto-s. Pastaj në korrik 2014, miratimi i binjakëzimit në këshillin bashkiak të Bitontos. Ka një vit që mbahet heshtje e plotë (una cappa di silenzio avvolge il tutto), shkruan “dabitonto.com”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/