20 maj 2015 – Porti i kontejnerëve i Xhoja Tauros (Gioia Tauro) në Kalabri, sot u bë dëshmitar i dy sekuestrimeve masive të mallrave të falsifikuara, që kalonin tranzit nga ky port për në Durrës. Në rastin e parë doganierët italianë në bashkëpunim me Rojen e Financës kontrolluan tre kontejnerë të ngarkuar me veshmbathje e lodra fëmijësh për në Shqipëri. Kontejnerët ishin ngarkuar në portin bangladeshas të Chittagong-ut dhe në portet kineze të Xiamen dhe Shantou me destinacion përfundimtar Portin e Durrësit.

Veshmbathje dhe lodra false

Nga inspektimi rezultoi se në kontejnerë kishte lodra për fëmijë dhe veshmbathje të markave të shtrenjta të gjitha të falsifikuara. Bluzat e falsifikuara ishin të markave Angry Bird, Cars, The Flintstones. Lodrat për fëmijë u përkisnin markave të falsifikuara si: Plane, Spiderman, Cars, F.C. Barcelona etj. Në kontejnerë kishte edhe atlete false të markës Nike.

U sekuestruan gjithsej 22 000 copë mallra të falsifikuara. Vlera totale e mallrave të sekuestruara sipas faturave shkonte në 80 000 euro. Dogana italiane nuk bën publike emrat e tre firmave shqiptare pritëse të mallit. Sipas Manifestit të ngarkesës, këto tre kontejnerë, tranzit në Portin e Xhoja Tauros kishin për destinacion fundor Portin e Durrësit.

45 000 shishe Head & Shoulders false

Po sot më 20 maj 2015 , po në Portin e Xhoja Tauros dogana italiane në bashkëpunim me atë holandeze kontrolluan një kontejner menjë ngarkesë prej 45 000 shishesh plastike me shampo të markës Heads & Shoulders, me vlerë fature 180 000 euro. Kontejneri bashkë me dy të tjerë të sekuestruar në Portin e Roterdamit (223 000 shishe shampo gjithsej) ishin ngarkuar në portin e një vendi aziatik. Kontejneri, që u sekuestrua në Xhoja Tauro ishte deklaruar në Holandë si mall tranzit për në Portin e Xhoja Tauros nga më  pas do të dërgohej në Libi. Doganierët holandezë dhe italianë vunë re që në etiketat e shampove nuk ishin shkruar në gjuhën arabe të përdorur për në Libi, por në gjuhën shqipe. Nga kontrolli i kryer në laboratorin e doganave italiane me ndihmën edhe të përfaqësuesve të autorizuar të kompanisë Heads & Shoulders rezultoi se shampot ishin false, sepse në to mungonin disa nga lëndët përbërëse të shampos origjinale. Gjithashtu në shampot e falsfikuara kishte në sasi të vogël edhe një substancë kancerogjene.

Quo vadis doganat shqiptare?!

Nga shembujt e mësipërm mund të nxjerrim lehtësisht deduksionin se në doganat shqiptare kalon derri e dosa bashkë pa i hyrë gjemb në këmbë. Lavdi zotit që të huajt arrijnë deri diku t’i mbrojnë konsumatorët shqiptarë nga produkte të tilla të falsifikuara. Mosrealizimi i vazhdueshëm i planit të të ardhurave nga doganat shqiptare, na le të kuptojmë, që dogana nuk e ka përmbushur misionin e saj fiskal sipas Kodit Doganor. Mosbllokimi i mallrave të falsifikuara potencialisht të dëmshme për shëndetin e konsumatorëve shqiptarë është tregues që doganat shqiptare nuk po përmbushin as edhe misionin tjetër tyrin, atë të mbrojtjes së sigurisë kombëtare gjegjësisht të jetës dhe shëndetit të shqiptarëve.

Kur këto dy misione thelbësore të doganave shqiptare nuk përmbushen, me se vallë krenohen doganat shqiptare, me mbajtjen e statistikës së import-eksporteve?!

/Gj.Th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/