Takime të një pas njëshme, prezantimi i një projekti afatgjatë dhe ambicioz, si edhe objektivi për të synuar kualifikimin e Shqipërisë në Kampionatin Europian të vitit 2020. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka është takuar me trajnerë të ndryshëm për Kombëtaren dhe kandidatë potencialë për të zëvendësuar Gianni De Biasin në stol.Krerët e FSHF-së premtuan se së afërmi do të bënin publik edhe emrat që janë më pranë emërimit, megjithatë për momentin nuk ka ende asnjë sinjal. Për të zbardhur disi dilemat kanë menduar mediat italiane. Sipas “TuttoMercatoWeb”, për momentin Christian Panuçi është në avantazh ndaj Walter Zengas për stolin e Kombëtares shqiptare.Nga viti 2012 deri në përfundim të Botërorit 2014, Panuçi punoi si asistent i Fabio Capellos te përfaqësuesja e Rusisë.

Në 2015-ën dy herë fituesi i Champions-it nisi karrierën si trajner te Livorno, me klubin që e emëroi dhe më pas e shkarkoi dy herë brenda të njëjtit sezon.Në vitin 2016 Panuçi u emërua te Ternana, ku e drejtoi skuadrën vetëm në një ndeshje të turit të dytë të Kupës së Italisë, ndërsa ndryshimet në stafin drejtues sollën edhe largimin e tij pa nisur kampionati. Ish-mbrojtësi i Milanit, Realit, Interit, Chelsea-t dhe Romës përflitet si favoriti për tu bërë pasardhësi i De Biasit. Por, megjithë karrierën e jashtëzakonshme si futbollist, 44-vjeçari nuk ka shumë eksperiencë në trajning, një kusht i domosdoshëm i vendosur nga Federata e Futbollit për trajnerin e ti të Shqipërisë.