Thanasi Mustaqi

Një çift 60-vjeçarësh nga Leçe sapo u kthye në qytetin e lindjes nga Shqipëria, ku përjetoi një përvojë trajtimi të pazakontë turizmi dentar, ndërkaq secili pagoi një paketë komplekse prej 1 500 euro. Për katër ditë me radhë jetuan në qytetin e Durrësit.

Gjithnjë e më shpesh shumica e qytetarëve italianë, dhe në veçanti nga Salentoja dhe Pulja, për shkak të kostos së lartë të implanteve dentare, shkojnë në Evropën Lindore për të zgjidhur këtë hall, që u mundëson jo vetëm një shërbim të mirë spitalor, higjienik dhe mjekësor por edhe një rezidencë luksoze, mirëqenie dhe komfort.

Portali italian “leccenews24.it” njofton se një çift gjashtëdhjetëvjeçarësh nga Leçe, u kthye më 30 dhjetor 2015 në qytetin e lindjes pas një qëndrimi katërditor në Durrës, ku kanë përfituar gjithçka, që nga komforti i hotelit, rezidenca dhe shërbimi cilësor i implantit dentar me një kosto prej vetëm 1 500 euro, kundrejt 4 000 eurove që kërkohen vetëm për montim proteze në Leçe dhe në provincë.

Çifti u trajtua shumë mirë nga i gjithë stafi mjekësor dhe dentar, me përvojë të shkëlqyer profesionale, dhe ka përfituar vizita shtesë, radiografi, ushqim dhe strehim. Stafi mjekësor i ofroi çiftit një shërbim që u kurseu rreth 60 për qind të asaj që çifti do të kishte kaluar në Salento, me të njëjtat përparësi, vëmendje dhe kujdes se ata kishin në Itali, me një kosto shumë të ulët, thotë “leccenews24.it”.

Rasti i çiftit dhe numri në rritje i personave që vendosin të shkojnë jashtë vendit për të përfituar shërbimin e kujdesit dentar ka avancuar në kohë dhe respektivisht në kohë krize, aq sa në mëngjesin e 30 dhjetorit 2015 ky fakt u evidentua në programin e gazetarit Franco Di Mare “Uno Mattina” të RAI-t.

Franco Di Mare vuri në dukje se qytetarët italianë vendosin të shkojnë për kujdesin dentar në qytete nga më të bukurit jashtë shtetit të tillë Durrësi, me një kursim të lartë shpenzimesh, dhe nga ana tjetër duke kaluar edhe ditë pushimesh në lumturi të plotë.