Durrës, 31 maj 2014 – Dy vjet më parë, një shtetas italian që jeton dhe punon në Durrës, i kishte lënë një 31 vjeçari durrsak automjetin e tij, pasi i detyrohej 3000 euro.
Siç bëjnë të ditur burime policore, 55 vjeçari italian R.P. dhe 31 vjeçari durrsak A.B. kishin lidhje shoqërore mes tyre. Në një moment të vështirë për të italiani i kishte kërkuar mikut të tij shqiptar 3000 euro borxh.
Meqë në atë kohë nuk kishte para për t’ia kthyer shumën e marrë, italiani i kishte lënë në përdorim 31 vjeçarit automjetin e tij të markës Iveko, me targa të huaja EH 523 EH.
Përderisa nuk po i ktheheshin paratë, durrsaku kishte vendosur ta përdorte makinën e mikut të tij italian. Por nga një kontroll i bërë nga policia, rezultoi se makina rezultonte e vjedhur në Itali.
Para efektivëve të rendit, 31 vjeçari tregoi se makina i ishte dhënë nga shtetasi italian. Pas verifikimeve të nevojshme, policia nisi procedimin penal në gjendje të lirë për 55 vjeçarin italian, i cili akuzohet për “Trafikim të mjeteve motorike”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





