DURRËS, 4 nëntor 2014 –  Italiani, i cili ka humbur jetën në orët e para të mëngjesit të sotëm gjatë një shkëmbimi zjarri, Giampaolo Azzola jetonte në Shqipëri prej disa vitesh. Ai ka poseduar deri në vitin 2012 aksionet e kompanisë “Apollonia Investments” duke i shitur në shtator 2012, 80 % të aksioneve.

Gazetari Spartak Koka bën me dije se Azzola ia ka shitur aksionet ish-ministrit të jashtëm të Perusë Manuel Augusto Blacker Miller, ndërkohë që 10% i mban subjekti Italian “Business Sport”.

Kompania me seli në Fier synon prodhim energjie termike dhe elektrike nga procesi i përpunimit të mbeturinave dhe substancave të tjera nëpërmjet ngritjes së infrastrukturës për këtë qëllim.

Në janar të vitit 2013 ish-ministri i jashtëm i Perusë Manuel Augusto Blacker Miller, u perfol se u arrestua në Tiranë pas një urdhër arresti që kishin lëshuar autoritetet peruane për grushtin e shtetit të vitit 1992. Mediat peruane deklaruan një vit më parë se në Shqipëri u arrestua nga Interpol Tirana për llogari të SHBA-ve, Manuel Augusto Blacker Miller, ish-ministri i Jashtëm në Peru në kohën e ish-Presidentit Fuxhimori, i përfshirë në një grusht shteti në vitin 1992. Ndërkohë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit e hodhi poshtë këtë version në një komunikatë për shtyp duke deklaruar se nuk e ka arrestuar peruanin dhe se Manuel Augusto Blacker Miller nuk rezulton të jetë i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në vitin 2009-të ish-diplomati peruan ishte arrestuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nuk dihet se si ka dalë prej andej duke përfunduar në kontinentin europian, konkretisht në Shqipëri, shkruajnë mediat vendase. Po sipas tyre, Miller është arratisur nga Peruja në tetor të 2005.

Por realisht ish-ministri i Jashtëm peruan Manuel Augusto Blacker Miller, jo vetëm ka jetuar normalisht në Tiranë, por ka ushtruar dhe sipërmarrje private në Tiranë në fushën e trajtimit të plehrave. Fakti zbulohet në ekstraktin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve ku faktohet se Manuel Augusto Blacker Miller ka ngritur në Shqiperi shoqërinë e quajtur “Apolonia Investmentes” një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar siç shkruhet në ekstrakt. Miller ka marrë drejtimin e Kompanisë si përfaqësues ligjor në 14 shtator të 2012-ës. Shoqëria është themeluar në 26 korrik të vitit të kaluar dhe është regjistruar dy ditë më vonë në gjykatë. Selia e saj figuron në qendër të Tiranës në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit” te dy kullat.

Shoqëria rezulton të jetë ngritur mbi bazën e një kapitali fillestar prej 13.8 miliardë lekë. Siç shihet nga ekstrakti i QKR-së, Manuel Augusto Blacker Miller zotëronte 80% të aksioneve, ndërsa dy aksionere të tjerë rezultojnë italjane përkatësisht Alberto Paladini me 10% të aksioneve dhe shoqeria “IBS ITALIANA BUSINES SPORT” po me 10 për qind të aksioneve. Në objektin e punës së kompanisë shkruhet qartë: “Ndërtim dhe zotërim të impianteve të përpunimit të mbetjeve urbane të të gjitha llojeve, prodhim energjie termike dhe elektrike nga procesi i përpunimit të mbeturinave dhe substancave të tjera nëpërmjet ngritjes së infrastruktures për këtë qëllim”.

/index.al/