18 maj 2015 – Një shtetas italian rezulton të ketë humbur në Shqipëri prej dy vitesh. Denoncimi vjen nga e motra e tij, e cila ka thënë për ‘TGCOM’, se Ivan Angelo, 43 vjeç ka dy vjet që nuk bëhet i gjallë.

Sipas motrës Barbara, Ivani njohu në internet një shqiptare me emrin Alba, të cilët pasi flisnin shpesh në “Skype”, vendosën që të takoheshin në Tiranë, në prill të vitit 2013. Ai madje u njoh edhe me prindërit e vajzës dhe më pas vendosën që të martoheshin. Ivani u kthye sërish në Tiranë në qershor, kur edhe humbi gjurmët.

Barbara ka shumë dyshime edhe për shqiptaren Alba, për të cilën thotë se Ivani kishte zbuluar që nuk ishte ajo që hiqej.

“Ivani zbuloi diçka prej Albës se ajo merrej me punë të paligjshme. Nga vëllai më është dorëzuar një çantë udhëtimi, ku ishte dhe lap-topi i tij, por pa hard-disk. Alba na dha dy versione lidhur me hard-diskun e kompjuterit, duke thënë se në zënkë e sipër Ivani e kishte thyer, por ai rezultonte i padëmtuar. Ndërsa, në një bisedë të dytë, tha se Ivani para se të largohej nga lokali e kishte hequr vetë atë.

Më vonë zbuluam se Alba kishte disa profile në “Facebook” dhe përdorte emra të ndryshëm. Pavarësisht denoncimit, nga hetimet nuk ka pasur rezultat. Nga autoritetet shqiptare një vit pas zhdukjes na u tha se Ivani kishte dalë nga Shqipëria përmes portit të Durrësit për në Bari. Por të dhënat në dokumente ishin të paplota dhe kishte mospërputhje”, rrëfen motra e Ivanit.

Rrëfimin e plotë në origjinal mund ta gjeni këtu: "Mio fratello Ivan Pegan sparito in Albania da due anni": il racconto della sorella

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/