Itali, 11 korrik 2014 – “Mallkuar qoftë dita që të njoha”. Nuk është shprehja e një filmi, por historia e një të moshuari nga Milano në Itali me moshë 67 vjeçare, i cili nuk ka të drejtë për pensionin e pleqërisë për shkak të kontributeve jo të mjaftueshme, por nga ana tjetër nuk përfiton dot as pensionin social që e marrin të gjithë.
Ai nuk përfiton dot pensionin social për faj të një martese, pas i duhet të deklarojë të ardhurat e gruas së tij shqiptare, e cila ka humbur pa nam e nishan vite më parë. Çdo formë pensioni duket e largët për Pierluigi Catanzaro, një i moshuar italian i cili jeton në rrugën Eugenio Quarti.
Gruaja Blerta K., një shqiptare me moshë 35 vjeçare, u zhduk pa gjurmë sapo mori në duar certifikatën e martesës të cilën duket se e ka përdorur për të marrë leje qëndrimi dhe që nga ai moment nuk është dukur më.
“Dy ditë pas zhdukjes së saj, shkova në kuesturë. Më treguan disa fotografi dhe njoha dëshmitarët e dasmës. Ishin dy italianë me precedent penalë. Policia më shpjegoi se bënin pjesë në një organizatë që merrej me mashtrim. Për time shoqe, zbulova se ishte një prostitutë”, thotë Pierluigi.
Gruaja tregon ai, i ishte prezantuar nga një fqinje tek e cila pastronte. Një punë të cilën duket se e bënte për mbulesë. I moshuari italian nuk ka mundur të vihet në kontakt me gruan e tij gjatë gjithë këtyre viteve dhe martesa ende nuk është anulluar.
Së fundmi teksa kërkoi pensionin social, i moshuari u përball me surprizën e pakëndshme. Ai jeton tani në një shtëpi sociale dhe merr një ndihmë prej 436 euro në muaj nga komuna.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





