8 gusht 2015 – Dy shqiptarë dhe tre shtetas italianë, mes tyre dhe një femër, janë arrestuar ditën e premte, të akuzuar për një vrasje të mbetur në tentativë.
Artan Belliu 53 vjeç dhe Igli Kamberi 29 vjeç, që të dy janë pjesë e një grupi që kishin planifikuar të vrisnin kryekëshilltarin e Partisë Demokratike të komunës së Barletës, Pasquale Ventura.
Nga hetimet rezulton se atentati ndaj Venturës nuk ka lidhje me politikën, por është çështje trashëgimie. Policia italiane ka bërë të ditur se ish-bashkëshortja e tij, Conceta Dimatteo 40 vjeç, është personi që ka porositur vrasjen e kryekëshilltarit. Ajo ka paguar rreth 30 mijë euro ndërmjetësin shqiptar Artan Belliu për eliminimin e ish-bashkëshortit të saj. Më pas, Belliu ka kontaktuar me Igli Kamberin dhe shtetasit italianë, Giacomo Lanotte e Francesco Sibilano për të realizuar vrasjen.
Ngjarja ka ndodhur me 20 janar të 2015, kur Ventura u qëllua disa herë me armë. Kamberi drejtonte motorin, nga i cili Lanotte qëlloi disa herë me pistoletë ndaj kryekëshilltarit të PD-së Pasquale Ventura. Së bashku me Venturën ka qenë edhe djali i tij i vogël, për këtë arsye vrasësit janë larguar duke mos e vrarë kryekëshilltarin e Barletës.
Me urdhër të prokurorisë, ditën e djeshme u bë i mundur arrestimi i të pesë personave të përfshirë në këtë skemë krimi.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/