Gazetarja e kronikës në ‘News24’, Klodiana Lala ka dhënë detaje te reja në lidhje me atentatin që ndodhi në autostradën Tiranë-Durrës, ku mbetën të vrarë nga breshëria e 50 plumbave ish-shefi i Krimit Ekonomik në Tiranë, Ervin Dalipaj së bashku me Juxhin Dautajn.

E ftuar në emisionin ‘Studio e Hapur’ të gazetares Eni Vasili në ‘News24’, Lala tha se Juxhin Dautaj ishte në Tiranë së bashku me Dalipajn dhe janë nisur drejt një restoranti në Sukth, ku janë takuar me dy femra, të cilat janë në kërkim nga policia për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen.

“Kanë qenë në Tiranë dhe pasi kanë konsumuar drekën në një restorant në Sukth, Juxhin Dautaj dhe Ervin Dalipaj kanë shkuar në një servis automjetesh, ku kanë ndërruar një llambë të mjetit, e cila si duket nuk punonte. Pasi kanë mbaruar punë në servis, ata kanë parë se si mjeti i autorëve i parakalon për pak metra dhe nis të hapë zjarr ndaj tyre. Juxhin Dautaj dhe Ervin Dalipaj ishin nisur drejt Vlorës, pasi Dautaj është nga ky qytet”, tha gazetarja Lala.

Po kështu, mësohet se të dy ishin të armatosur megjithatë nuk kanë mundur dot t’i përdorin armët e zjarrit.

Ish-shefi i krimit ekonomik në Tiranë, prej kohësh ishte në arrati, i akuzuar për rrëmbimin, torturimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut. Ai po lëvizte me një makinë “Audi” së bashku me mikun e tij Juxhin Dauti në momentin që një makinë e zezë i ka ndjekur nga pas.

Dëshmitarët në vendngjarje kanë rrëfyer për DurrësLajm se të dyja mjetet kanë qenë duke ecur paralel dhe me shpejtësi të madhe. Në tentativë për t'u shmangur, “Audi” që drejtohej nga Dautaj ka përfunduar më shumë se 50 metra poshtë në autrostradë. Policia e Durrësit bëri të ditur dje pasdite se janë shoqëruar 12 persona, me qëllim zbardhjen dhe zbulimin e plotë të ngjarjes.