Rezultatet e një studimi të fundit të ITU-së (International Telecommunication Union – Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit), nxjerrin në pah faktin se në fund të 6-mujorit të parë të vitit 2016 niveli i depërtimit të internetit në të gjithë botën ka qenë 47.1%. Në të njëjtën kohë Evropa konsiderohet si kontinent me depërtimin më të madh të internetit (79.1%), ndërkohë që një vit më parë shifra ishte 76.3%.
Të dhënat e kësaj agjencie të OKB-së për çështjet e zhvillimit të teknologjive të informacionit tregojnë se për Shqipërinë është karakteristik nivel më i ulët i depërtimit të internetit sesa për Evropën. Treguesi i shqyrtuar në rastin Shqipërisë është 62.8%, duke zënë vendin e 73 në renditjen tematike prej 201 vendesh të ITU-së.
Disa vende të Ballkanit ishin pak më ulët se Shqipëria në këtë renditje. Kështu, Mali i Zi (62%) dhe Bosnjë- Hercegovina (61.1%) zunë përkatësisht vendet e 75 dhe 76. Në të njëjtën kohë Serbia ishte në vendin e 90, ku depërtimi i internetit arrin në 54%.
Të dhënat e ITU-së tregojnë se Islanda, e cila zuri vendin e parë në renditje, ka 100 për qind mbulim me internet, kryesisht për shkak të një popullsie të vogël (331,8 mijë banorë). Vendin e fundit në renditjen e ITU-së e zë Eritrea (1.1%).





