Katër persona kanë humbur jetën dhe 11 të tjerë janë plagosur pasi një makinë që po i shpëtonte policisë u përplas me turmën përpara një bari të mbushur me njerëz në Tampa, Florida.
Sipas policisë së Tampës, ngjarja ndodhi rreth orës 00:40 të mëngjesit të së shtunës, kur një njësi ajrore vuri re një makinë që po udhëtonte me shpejtësi dhe në mënyrë të rrezikshme në autostradë. Më herët ajo ishte parë duke bërë gara në një lagje tjetër.
Patrulla e autostradës së Floridës tentoi ta ndalonte duke përdorur manovrën PIT, që konsiston në goditjen e pjesës së pasme të makinës për ta bërë të rrotullohet, por tentativa dështoi. Oficerët u tërhoqën ndërsa automjeti vazhdoi me shpejtësi drejt zonës historike Ybor City, të njohur për jetën e natës dhe turistët.
Pak më pas, drejtuesi humbi kontrollin dhe u përplas me njerëzit jashtë barit “Bradley’s on 7th”, njoftoi policia, duke theksuar se përplasja nuk ishte e qëllimshme.
Tre persona humbën jetën në vend, ndërsa një tjetër ndërroi jetë në spital. Të paktën dy persona ndodhen në gjendje kritike, shtatë janë në gjendje të qëndrueshme, ndërsa dy të tjerë janë trajtuar dhe lëshuar nga spitali. Dy persona me lëndime të lehta refuzuan trajtimin në vendngjarje.
“Çfarë ndodhi këtë mëngjes ishte një tragjedi pa kuptim. Zemrat tona janë me familjarët e viktimave dhe të gjithë ata që u prekën nga kjo ngjarje”, tha shefi i policisë, Lee Bercaw, duke dënuar drejtimin e pakujdesshëm që “rrezikoi jetë të pafajshme.”
Autoritetet kanë identifikuar shoferin si Silas Sampson, 22 vjeç, i cili është akuzuar për katër vepra të vrasjes me automjet dhe katër akuza për shmangie nga policia me pasoja të rënda, të gjitha krime të shkallës së parë.
“Kjo humbje ndjehet në gjithë qytetin tonë”, deklaroi kryetarja e bashkisë së Tampës, Jane Castor.
Pronari i barit, Bradley Nelson, tha se makina fillimisht goditi tre persona në trotuar përpara se të përplasej në zonën e jashtme të lokalit.
“Kjo ngjarje ka qenë jashtëzakonisht traumatike për stafin dhe për mua personalisht. Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet e viktimave dhe të plagosurve”, shtoi ai.





